Vendim pa vendim nga vetting-u per kandidaten per ne ILD

2019-03-15 1

Duket se Inspektorati i Lartë i Drejtësisë një nga institucionet më të rëndësishme të sistemit të ri të drejtësisë do t?i duhet edhe shumë kohë të ngrihet. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të lexonte këtë të hënë vendimin për Marsida Xhaferrllarin, kandidate për në ILD.

Por kjo nuk ka ndodhur, pasi KPK ka argumentuar se Xhaferrllari e ka humbur statusin e magjistrates dhe për këtë arsye nuk mund të shprehet me vendim për ta rikthyer në sistem. Vendim tepër kontradiktor ky, pasi për Xhaferrllarin u kryen hetime dhe u zhvillua seanca dëgjimore, ku nuk u gjetën probleme me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

Vetë Xhaferrllari tha se do të presë zbardhjen e vendimit dhe do të ndjekë rrugën ligjore për këtë vendim të komisionit.

I vetmi që ka kaluar shkallën e parë të vetting-ut nga kandidatët për në ILD është Artur Malaj, vendim i cili është ankimuar nga Komisioneri Publik. Megjithatë, që gara të jetë ligjore për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë duhet të kandidojnë të paktën 5 persona.

Pak ditë më parë, kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi u shpreh se mosngritja e Inspektoratit mund të bllokojë punën e KLP, pasi nuk mund të merren masa disiplinore për prokurorët që shkelin ligjin.

Tv Klan