Report TV -Dhuna ndaj arbitrit, Rama propozon: 3 vite burg për tifozët që futen në fushë

2019-03-15 0

Në tryezën e përbashkët Qeveri FSHF Kryeministri Rama ka bërë disa propozime konkrete për ndryshime në Kodin penal në mënyrë që në stadiumet shqiptare të mos ketë në dhunë.

Kryeministri ka bërë disa propozime konkrete duke theksuar se duhet një status i vecantë për spektatorin dhe se ai tifoz që kalon rrethimin e stadiumit dhe futet në fushë të dënohet me 3 vite burgim dhe të përjashtohet përjetë nga stadiumet.

Kryeministri Rama duke i referuar rastit të fundit të dhunës në stadium ka deklaruar:

"Dhuna nuk mund të tolerohet më . Policia e Shtetit dhe FSHF të mos i hedhin topin njëra tjetrës por të bashkëpunojnë. Duhet të garantojmë që të gjitha stadiumet të kenë një monitorim me kamera. Duhet të këtë një marrëveshje mes Policisë dhe FSHF që Policia të ndërhyjë në stadiume. Të ketë një strukturë të veçantë në Polici që të merret me mbarëvajtjen e aktiviteteve futbollistike", ka nënvizuar Kryeministri.

Më tej Rama morri me radhë dhe analizoi kërkesat që mbërritën nga FSHF dhe klubet edhe për aspektet financiare në futboll. Për aspektin financiar të futbollit Rama ka propozuar: "Të hiqen taksat për ndërtimet sportive dhe të ketë lehtësira doganore për mallrat sportiv. Të zerojmë tatim fitimet për klubet sportive për një kohë të caktuar ".

Rama ka propozuar që të ngrihen grupe pune për problematikën e dhunës dhe grup pune për aspektet e tjera financiare dhe fiskale. Ndërsa ka kërkuar që çështjet problematike të zgjidhen brenda për brenda dhe të mos shkohet deri në CAS në Lozanë.

Lleshaj: Policia e Shtetit në stadium ka faturë financiare

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i pranishëm në tryezën e përbashkët Qeveri FSHF është shprehur i gatshëm që të ketë një bashkëpunim të frytshëm të Policisë me Federatën dhe ka thënë:

"Prania e Policisë së Shtetit në stadiume ka të bëjë me dy aspekte me kompetencat dhe me kapacitetet. Ka një faturë financiare për tu paguar nëse Policia është e pranishme në stadiume pasi çdo fundjavë në ë mbarëvajtjen e aktiviteteve sportive duhen 500 deri në 700 policë. Në stadiume duhet të futen individë të identifikueshëm me bileta dhe jo turma", ka sqaruar Ministri Lleshaj.