Ish-Kryeprokurori Adriatik Llalla kërkesë SHBA-së: Më hiqni nga lista e zezë!

2019-03-14 0

Një vit nga refuzimi i vizës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dhe familjen e tij ish kryeprokurori Adriatik Llalla kontrakton kompani lobimi në SHBA dhe kërkon heqjen e këtij sanksioni. Vetë kompania lobuese Sher Tremonte LLP ka bërë publike në internet kontratën të cilën tashmë e ka regjistruar pranë departamentit të shtetit. Kontrata mban datën e regjistrimit 15 shkurt 2019 dhe objekt të saj ka në pikën 12 të saj anulimin e vendimit të departamentit të shtetit i cili më 14 shkurt 2018 shpalli të padëshiruar në Amerikë, Llallën dhe familjen e tij. Kjo kontratë nuk mban një çmim të paguar nga ish numri një i akuzës në Shqipëri, ndërsa Sher Termonte deklaron se ka një pagesë prej 5 mijë dollarë të bërë nga kompania me seli në Uashington Lita Brothers.

Ndërsa në pikën 7 të kësaj kontrate klienti për të cilën është vënë në lëvizje Sher Tremonte LLP është regjistruar emri i ish kryeprokurorit Llalla me adresë Rruga Gramoz Pashko 19 Tiranë. ReportTv kontaktoi me ish kryeprokurorin Llalla në lidhje me këtë lobin, ndërsa pranoi ekzistencën e kësaj kontrate Llalla tha se në këtë moment nuk ka asnjë koment për mediat. Lobistët sipas këtij dokumenti rezultojnë se janë Michael Tremonte dhe shtetasi Michael Gibaldi dhe pritet që të përfaqësojnë interesat e ish kryeprokurorit në këtë proces.

Sher Tremonte rezulton se është një kompani lobimi me seli në New Yourk dhe drejtohet nga avokati Michael Tremonte. Llalla ndërkohë është në hetim nga krimet e rënda për pasurinë e tij një pjesë e të cilës është vënë në sekuestro preventive ndërsa më herët ai u largua nga sistemi duke hequr dorë nga statusi i magjistrati çka solli që ndaj tij mos aplikohet vetting.