Report TV - Fier, ish-deputetët e opozitës debate me policinë në protestën kundër Ramës

2019-03-14 1

Partia Demokratike edhe në këtë 8 mars protestoi kundër kryeministrit Edi Rama.

Fillimisht bllokuan rrugën në Roskovec dhe dogjën goma për t'i bërë pritë eskortës së kreut të qeverisë, që në axhendë kishte disa aktivitete në qytetin e Fierit për Ditën e Gruas. Por Rama e ka devijuar këtë rrugë, duke mbërritur qetësisht në Fier në një takim me gratë e qytetit.

Por edhe aty pati një tubim nga protestues të udhëhequr nga kreu i degës së PD-së në Fier, Luan Baci, dhe ish deputetët Enkeleid Alibeaj, Kejdi Mehmetaj e LSI. Simpatizantët çanë kordonin e policisë vendosur 500 metra larg vendit ku kryeministri ishte duke festuar 8 Marsin me këngë e valle me gratë e Fierit.

Forcat e policisë neutralizuan turmën e protestuesve. Pavarësisht përplasjeve që ndodhën, Luan Baci u shpreh se protesta është paqësore, dhe se nuk e kupton arsyen pse policia nuk e lejon kalimin e qytetarëve. Përveç policisë së shtetit, kishte edhe punonjës të Gardës së Republikës për të garantuar sigurinë për kryeministrin Edi Rama.

Më herët simpatizantët e PD-së në Fier dolën në protestë në rrugën hyrëse të qytetit me qëllim ndërprerjen e rrugës për kryeministrin Edi Rama. Ata i vunë flakën gomave pranë një karburanti në Roksovec, duke rritur rrezikshmërinë për kalimtarët dhe banorët e zonës.