Të paktën një person humbi jetën dhe 20 të tjerë mbetën të plagosur nga një aksident i ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit këtë të enjte. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani tha për Radion Evropa e Lirë se aksidentin dyshohet ta ketë shkaktuar një kamion transportues.
?Fatkeqësisht, një aksident i rëndë ka ndodhur në qendër të qytetit të Gjilanit. Një kamion dyshohet se është shkaktar i aksidentit, pra një kamion transportues. Së paku një person ka ndërruar jetë dhe 20 të tjerë janë të lënduar dhe janë duke marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Spitalore në Gjilan?, tha Hashani.
Sipas Hashanit, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht. Ai tha se hetimet kanë nisur menjëherë. Aktualisht 14 prej të plagosurve po marrin mjekim në Qendrën Emergjente të Gjilanit, ndërsa 2 të tjerë janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Për ngjarjen e rëndë policia ka ndalur 2 persona, drejtuesin e automjetit dhe pasagjerin që ndodhej me të.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri u shpreh se ?sipas informatave të para, kamionit nuk i kanë funksionuar frenat? dhe shtoi se përveç dëmeve në njerëz, në këtë aksident janë përfshirë edhe dhjetëra automjete dhe ka dëmtim të pronës publike./tvklan.al