Danielsson nuk sheh sinjale diaologu: Ja bëra të qartë opozitës se nuk po ndihmon integrimin

2019-03-14 0

Takimet që pati në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës joparlamentare Lulzim Basha dhe aleatët e djathtë nuk i dhanë sinjale pozitive për dialog, drejtorit të përgjithshëm për politikat e zgjerimit në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson.

Ai tha se dialogu është përgjegjësi e të dyja palëve për të zgjidhur situatën aktuale politike në vend, e shumicës dhe opozitës. Por zyrtari i lartë i BE-së u shpreh se nuk pa asnjë shenjë që opozita të mund të dialogojë të kthehet në Kuvend pas vendimit për djegien e mandateve. Në të njëjtën linjë si të ndërkombëtarëve që janë shprehur edhe më herët, Danielsson tha se djegia e mandateve nga opozita, minon procesin e integrimit.

"Shpesh në të shkuarën ju kemi kërkuar partive ta bëjnë integrimin mision kombëtar. Fatkeqësi që vendi të jetë në një kurth pasigurie politike", tha Danielsson.

Fakti që opozita është jashtë parlamentit, nuk e ndihmon fare procesin integrues të vendit. "Këtë ja bëra të qartë opozitës", - tha zyrtari i BE-së në një konferencë për mediat pas takimeve që pati me liderët politikë. Danielsson tha se nxitja e dhunës në protesta është shqetësim i madh për BE-në.

Zyrtari i lartë i Bashkimit Evropiane, tha se Shqipëria ka dhënë rezultate në proceset kyçe për integrimin, veçanërisht në reformën në drejtësi, me vettingun dhe krijimin e institucioneve të reja në drejtësi.