Takimet që pati në Tiranë me kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës joparlamentare Lulzim Basha dhe aleatët e djathtë nuk i dhanë sinjale pozitive drejtorit të përgjithshëm për politikat e zgjerimit në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson.
Ai tha se dialogu është përgjegjësi e të dyja palëve për të zgjidhur situatën aktuale politike në vend, e shumicës dhe opozitës. Por zyrtari i lartë i BE-së thotë se nuk pa asnjë shenjë që opozita të mund të kthehet në Kuvend pas vendimit për djegien e mandateve. Në të njëjtën linjë si të ndërkombëtarëve që janë shprehur edhe më herët, Danielsson tha se djegia e mandateve nga opozita, minon procesin e integrimit.
Dhe fakti që opozita është jashtë parlamentit, nuk e ndihmon fare procesin integrues të vendit. "Këtë ja bëra të qartë opozitës", - tha zyrtari i BE-së në një konferencë për mediat pas takimeve që pati me liderët politikë.Vendi i opozitës është në Parlament. Me këtë qëndrim drejtori i politikave për zgjerimin në BE, Christian Danielsson, mbajti të njëjtën linjë si të ndërkombëtarëve që janë shprehur edhe më herët, se djegia e mandateve nga opozita, minon procesin e integrimit.
"Shpesh në të shkuarën ju kemi kërkuar partive ta bëjnë integrimin mision kombëtar. Fatkeqësi që vendi të jetë në një kurth pasigurie politike", tha ai.
Në një konferencë për mediat pas takimeve të veçanta me kryeministrin Rama, liderin e opozitës Basha dhe aleatët, Danielsson tha se nxitja e dhunës në protesta është shqetësim i madh për BE-në.
"Kjo situatë aktuale politike në Shqipëri, nuk ndihmon fare për procesin integrues. Ja bëmë të qartë edhe opozitës, se fakti që nuk është në parlament nuk ndikon pozitivisht progresin e bërë", tha zyrtari i lartë i BE-së.
Ai tha se Shqipëria ka dhënë rezultate në proceset kyçe për integrimin, veçanërisht në reformën në drejtësi, me vettingun dhe krijimin e institucioneve të reja në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.