Zbardhet dinamika e krimit në familje në Korçë, djali nuk pranon ta ketë vrarë ai nënën

2019-03-12 3

Policia e Korçës ka zbardhur krimin në familje ndodhur dje në lagjen numër 13 të qytetit. Djali 64-vjeçar Nesim Demollari - sipas policisë, e ka qëlluar nënën e tij 85-vjeçare Nazime Demollarin, me sende të forta në kokë dhe në trup, ku për pasojë ka gjetur vdekjen. Djali ka qenë i dehur në momentin e krimit, kur ka qëlluar për vdekje nënën në banesën ku jetonin bashkë, pasi e moshuara ishte e ve. Djali ishte i alkolizuar dhe vazhdimisht e dhunonte të moshuarën.

I arrestuar nga policia si autor i krimit, djali nuk e ka pranuar para hetuesve që ka vrarë të ëmën. Telefonatën në polici dyshohet ta ketë bërë kunata e së ndjerës, e cila më herët kishte qenë për vizitë tek e moshuara kur në banesë kishte mbërritur edhe i biri. Në telefonatën drejtuar policisë, gruaja ka kërkuar ndërhyrjen e forcave blu, pasi është shprehur se i ka lënë duke u zunë. Me mbërritjen e uniformave blu, e moshuara u konstatua e pajetë.

Kunata e të ndjerës, Gjyrxhie Demollari tha dje për mediat se pak momente para krimit të tmerrshëm, ishte në shtëpinë e tyre, dhe kishte shkuar të shihte kunatën e saj nëse ishte mirë me shëndet. Në ato moment në banesë ka ardhur edhe djali, që siç dëshmon Gjyrxhie Demollari, ishte i dehur dhe filloi të bërtiste. Pasi ajo ka ikur ka ndodhur dhe krimi i rëndë.

Në një rrëfim për Report Tv, ajo tregoi: Erdha ta shikojë si është, ishte sëmurë, dhe i thash do hash? Jo nuk do ha tha - jam e sëmurë. Më tej erdhi djali na gjeti aty, dhe më tha: Hë kjo të ka thirru? Jo i thash, kam ardhur ta shoh. Dhe filloi të bërtiste, pastaj ika. Ishte i dehur tapë, ai duhet varur".

Edhe fqinjët dhanë dëshmi tronditëse. Thanë se Nesim Demollari, ishte i alkolizuar, dhe se gjithmonë e rrihte nënë e tij. "Dëgjonim gjithmonë zhurma, sherr mes tyre, e ka rrahur gjithmonë, pasi pinte shumë. Sot e ka mbytur", tregonin banorë të zonës.