'Firojnë' edhe 6 kandidatë nga PD dhe LSI, Karamelo: Dorëheqja antiligjore

2019-03-12 0

Ashtu siç pritej, të tjerë kandidatë nga listat e partive opozitare, kanë hedhur hapin e parë për të pranuar mandatin e deputetit, pas djegies së mandateve nga ana e opozitës së bashkuar.

Sot, pesë kandidatë, kanë paraqitur në Komisionin qendror të Zgjedhjeve, formularët e vetëdeklarimi. Pas verifikimit të tyre, nëse janë të përshtatshëm, KQZ do tu kalojë mandatin e deputetit.

Sot dorëzuan formularët, Ediola Braha nga lista e LSI-së në Gjirokastër, Ligoraq Karamelo nga PD në Korçës, Elda Hoti nga lista e kandidatëve të LSI-së në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës, në Lezhë, dhe Edlira Hyseni e LSI në Durrës, dhe Majlinda Halilaj nga listat e PD-së.

Ligoraq Karamelo ka deklaruar se e ka pranuar mandatin e deputetit pasi e konsideron antiligjor vendimin e dorëheqjes. Ai tha se ky vendim ishte vendimi i strukturave dhe theskoi se do vazhdojë të jetë kundër qeverisë.

Ndërsa ditën e djeshme, dorëzoi formularin e vetëdeklarimit në KQZ, Lefter Maliqi, nga lista e PD-së në qarkun e Beratit.

Rudina Hajdari, deri më tani ka dalë kundër vendimit të PD-së, dhe nuk ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit, siç bëri opozita e bashkuar, duke ju bashkuar kolegëve, Myslim Murrizi po nga PD, dhe Lefter Koka i LSI, që nuk dogjën mandatin.