Basha: Edi Rama negocion azilin politik ne Itali

2019-03-12 0

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Itali për të kërkuar azil politik, dhe jo për të dhënë intervistë në një televizion të shtetit fqinj. Gjatë fjalës së tij para protestës, Basha tha se për këtë i referohet informacioneve që ka marrë nga vendet partnere.

"Sa për Edi Ramën, edhe sot si çdo herë tjetër ia ka mbathur të shpërndajë gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij në ekranin e Italisë fqinje. Të paktën kështu thotë. Por burime mike thonë që ka shkuar të negociojë azilin politik", deklaroi kryetari i PD.

Pas fjalës që mbajti sot në Parlament, Kryeministri Edi Rama u nis menjëherë drejt Italisë, sikurse njoftoi dhe u shpreh vet ai, "për të mbrojtur Shqipërinë, pas cënimit të rëndë ndërkombëtar nga shfaqja e turpshme e dhunës partiake të 16 shkurtit e në vazhdim,që kërcënon investitorët e planet e tyre dhe turizmin që punëson e ushqen dhjetëra mijëra njerëz".

Basha akuzoi Kryeministrin se me pushtetin kriminal dhe korrupsionin në qeveri, nuk do të ketë kurrë hapje të negociatave me Bashkimin Europian.

"Zëri juaj tashmë është dëgjuar, 10 ditë më parë opozita ju përgjigj diktatit të sovranit dhe unë kam sot nderin që në emrin e popullit të shpreh mirënjohjen time dhe të falenderoj nga zemra ata qindra patriotë, kandidatë të listës fituese, që djegin sot mandatin e tyre. Kjo është beteja për Shqipërinë e vlerave. Nuk ka Europë me Shqipërinë si Kolumbia, nuk ka integrim me korrupsionin në nivelet më të larta, nuk hapen dyert e Europës për hajdutët dhe kryehajdutin Edi Rama. Nuk e hap dot derën e Europës. Vetëm drejtësiua e çliruar nga kjo bandë, vetëm ndarja dhe balancimi i pushteteve, vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta hapin derën e Europës.

Ndaj imagjinoni një Shqipëri me qeveritarë të palidhur me krimin, me njerëz që vijnë në pushtet normalisht, qeverisin normalisht, nuk sillen me arrogancë, nuk ju dhunojnë, nuk ju vjedhin, dhe kur gabojnë shkojnë para drejtësisë. Imagjinoni një Shqipëri që paratë e taksave tuaja shkojnë për të rritur rrogat, pensionet. Imagjinoni një qeveri e cila nuk e ka Europën vetëm në majë të gojës, por veprimtarinë e saj të përditshme që nuk i përzë shqiptarët", deklaroi ndër të tjera Lulzim Basha.

Free Traffic Exchange