Fjala e plotë, Rama: Protesta e opozitës nuk është protestë popullore, zgjedhjet në 2021

2019-03-12 0

TIRANË-Jashtë Kuvendit të Shqipërisë opozita po zhvillon protestën e radhës duke kërkuar rrëzimin e qeverisë Rama, ndërsa brenda vijon normalisht seanca plenare. Kryeministri Rama gjatë fjalës në foltoren e Kuvendit u shpreh se opozita proteston për pushtet në tavolinë që nuk do ta marrë kurrë. Ai u shpreh sërish i vendosur se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ndërsa shtoi se PD-së dhe LSI-së vijon që t'i shtrijë dorën për dialog.

Megjithatë, tha Rama, nëse nuk pranojnë, dialogu do të vijojë me opozitën e re në Kuvend, deputetët që kanë pranuar që të marrin mandatin nga lista e PD-së dhe LSI-së. Shkaku i protestës sipas Ramës është fakti se opozita e di që do i humbë zgjedhjet lokale.

Kreu i qeverisë i bëri thirrje opozitës që të vijë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe të provojë sa vlen, pasi me apo pa ata, PS do të futet në zgjedhje dhe do të fitojë të gjitha bashkitë. Në fund të fjalës së tij, ai tha se po niset në një vizitë në Itali për të shpjeguar pamjet nga Shqipëria, se nuk bëhet fjalë për një protestë popullore, por vetëvrasje të opozitës.