Jepet pretenca, kërkohen 87 vite burg për tre të rinjtë që vranë shokun për një karikues

2019-03-11 0

Prokuroria i jep fund hetimeve për vrasjen e të riut Marvi Mihali ngjarje e ndodhur më 31 gusht 2017 pranë stadiumit ?Dinamo? dhe kërkon 87 vite burg për autorët e dyshuar Dejvi Bitraj, Eugen Bitraj, Kridens dhe Marsel Alla.

Prokuroria e Tiranës, ka dhënë pretencën për 4 të pandehurit që akuzohen për vrasjen e Marvi Mihalit, më 31 korrik të vitit 2017, pas një sherri mes të rinjve për një karikues telefoni. 24 vite burg janë kërkuar për Dejvi Bitrën, 20 vite për Marsel Allën, 25 vite për Gridens Allën, dhe 18 vite burgim kërkoi prokuroria për Eugen Bitrjan. Marsel dhe Gridens Alla janë vëllezër, të cilët janë në arrati, avokati i të cilëve ka pretenduar se janë të pafajshëm.

Sipas prokurorit Gjergji Tako ky marzh i lartë dënimi duhet të shërbente për të riedukuar një brez i cili ka humbur vlerat shoqërore.

Në përfundim të pretencës ai i kërkoi gjykatës që kur të shpall vendimin ta bëjë seancën publike për të ndërgjegjësuar shoqërine se të rinjtë duhet të mos përfshihen në këto krime që nisin nga sherre ordinere e përfundojnë me viktima.

Në përfundim të kësaj prentece reagoi dhe Tom Bitraj babai i një prej të ndaluarve. Ai sot kërkon drejtësi pasi nga ana tjetër janë në presionin e familjes Mihali për t'i dëmshpërblyer me 34 milion lekë.

"Na kërkojnë 340 milionë lekë dëmshpërblim për vrasjen e Marvi Mihalit. Ku t'i gjejmë?! Kjo pretencë është e padrejtë".

Të pranishëm në seancën e pretencës ishin dhe familjarët e Marvi Mihalit por në përfundim ata nuk bënë asnjë koment.

Ky proces u shoqërua me tension përgjatë dy viteve ndërsa u ndryshua dhe prokurori i dosjes dhe akuza pas ankesës së prindërve të Mihalit tek kryeprokurorja Arta Marku.

Seanca e radhës në Gjykatën e Tiranës ku pritet që trupa gjyqësore të japë vendimit, do të mbahet më 19 mars.

Marvi Mihali u godit me thikë korrikun e vitit 2017 dhe ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra pas një konflikti për një karikues telefoni mes një mikut të tij dhe Dejvi Bitrajt.