Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet të martën (nesër) në seancë plenare në orën 10:00.
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci njoftoi deputetët socialistë sot në mbledhjen e grupit të majtë parlamentar, se seanca e nesërme e Kuvendit do të mbahet në orën 10:00. Një orë më përpara, që në orën 09:00 opozita e bashkuar ka njoftuar fillimin e protestës përqark Kuvendit për të mos lejuar sipas tyre funksionim e parlamentit ilegjitim.
Në grupin parlamentar socialist, deputetëve ju është kërkuar që të hyjnë në sallë përpara orës 09:30, ndërsa ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe kryeministri Edi Rama i kanë garantuar deputetët se policia do të ofrojë sigurinë fizike të socialistëve, pa lejuar të përsëriten skenat e së martës së kaluar më 26 shkurt, kur opozita protestoi para Parlamentit duke sulmuar deputetët teksa futeshin në Kuvend.
Nga ana e saj, Policia e Tiranës, i ka kërkuar opozitës jo parlamentare që të mos protestojë para Kuvendit, dhe të zgjedhë një vend tjetër më të përshtatshëm, pasi siç ndodhi më parë, u cënua siguria dhe rrezikohet jeta e deputetëve, po ashtu cënohet edhe mbarëvajtja e seancës plenare.
Megjithatë, PD është e palëkundur, dhe është shprehur se do të protestojë para Parlamentit sa herë që do të ketë seanca pasi e cilësojnë parlamentin ilegjitim.
Policia e Tiranës paralajmëroi dje demokratët se nëse do të protestojnë tek Kuvendi, dhe nëse do të ketë dhunë ndaj deputetëve dhe policisë, të gjithë, organizatorë, drejtues të protestës dhe pjesëmarrësit do të ndiqen penalisht në sajë të ligjit për tubimet.
Në seancën e së martës, veç rendit të ditës, pritet të betohen edhe 4 deputetët e rinj të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Janë 4 kandidatët e listave zgjedhore të 2017-ës, që pranuan mandatin e deputetit, pas dorëheqjes së opozitës së bashkuar.