Nëse Policia e Shtetit nuk rikthehet në stadium dhe nëse nuk merren masat për mbarëvajtjen e garës atëherë kampionati shqiptar do të ndërpritet dhe gara do të mbyllet. Ndërkaq arbitrat kërcënojnë me bojkotim të aktiviteteve futbollistike në vend.
Pas dhunës të ushtruar ditën e djeshme në ndeshjen Kamza-Laçi ndaj arbitrit Hamiti , Federata Shqiptare e futbollit ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke kërkuar me ngul praninë e Policisë së Shtetit edhe në ambientet e brendshme të stadiumeve. Tahir Kastrati Kryetari i Shoqatës së Arbitrave ka thënë se rendi dhe siguria publike në stadium është detyre e policisë së shtetit dhe se arbitrave po iu rrezikohet jeta. Kastrati shkoi edhe më tej kur tha se nëse nuk merren masat e nevojshme atëherë arbitrat do të bojkotojnë aktivitet futbollistike në vend.
Në të njëjtën linjë dhe mjaft i ashpër ishte edhe Sekretari i përgjithshëm i FSHF-së Ilir Shulku i cili tha se shteti nuk ka marrë asnjë masë dhe ka shuar zërat për interpretim të ligjit duke qartësuar se rendi dhe siguria në stadiume është detyrë e Policisë së Shtetit. Shulku pret reflektim dhe shton se nëse nuk ndryshon diçka atëherë do të ndërpritet kampionati pasi në këtë situatë sipas Shulkut është e pamundur të vazhdohet.