Report TV - Samiti i Diasporës, Meta: Ta gjykojmë më pak, e të jemi më të dashur me njëri-tjetrin

2019-03-02 0

Në ditën e dytë të Samitit të Diasporës, nga Lezha Presidenti Ilir Meta ka bërë thirrje që palët politike të ngrihen mbi interesat e afatshkurtra për hir të rrugës europiane të Shqipërisë dhe vendimit për negociatat në qershor. Meta u shpreh duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe ta gjykojmë më pak, pasi vetëm të bashkuar mund të ecim përpara.

"Uroj që ky Kuvend i Lezhës për mesazhin që na ka sjellë nga thellësia e historisë, që në kohët më të vështira na ka ndihmuar të gjithëve për reflektim, të na ndihmojë edhe ne këtu, për t'u ngritur mbi interesat afatshkurtra dhe të ngushta për t'i thënë një 'PO' të fortë rrugës europiane të Shqipërisë, por edhe Maqedonisë në qershorin që po vjen.

Duhet të jemi pak më të dashur me njëri tjetrin dhe ta gjykojmë më pak. Për këtë do të na ndihmonte thënia e Nënë Terezës. 'Po ti gjykojmë të tjerët pa fund, nuk do të na mbetet kohë për ti dashur ata'. Kjo është rruga e suksesit. Vetëm duke qenë të bashkuar mund të ecim përpara" tha Meta.

Opozita pas largimit nga Kuvendi, pasi dogji mandatet ka paralajmëruar të tjera protesta, ndërsa kërkon zgjedhje të parakohshme përmes një qeveri kalimtare, por që nuk pranohet nga Rama. Ndërkohë që ditët e fundit eksponentë nga opozita kanë qenë dakord që Meta mund të marrë rolin për të negocituar mbi krizën.