Pas thirrjes së ndërkombëtarëve, që kandidatët për deputetë në listat e partive opozitare të zenë vendet e mbetura bosh nga djegia e mandateve të deputetëve të PS-LSI, në Kuvend po hyjnë deputetë të rinj.
Pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri tani 3 deputetë të LSI kanë thyer vendimin e kësaj force politike dhe kanë pranuar nisjen e procedurave për të marrë mandatin.
Ylli Shehu, i 9-i në listën e qarkut të Tiranës si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2017, Aurora Mara, e dyta në qarkun e Dibrës dhe Enver Roshi, i treti në qarkun e Elbasanit kanë dorëzuar formularin e vetëdeklarimit, që ka të bëjë me Ligjin e Dekriminalizimit.
Listës së LSI-së mund t?i shtohet edhe Ralf Gjoni, i 11-i në listën e Tiranës. Ai nuk ka pranuar të firmosë heqjen dorë nga mandati, sipas kërkesës së LSI dhe ka deklaruar pas një takimi me eurodeputetin Knut Fleckenstein se do të vendosë për mandatin, pasi të thirret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas disa konsultimeve.
Nga LSI nuk ka vendosur akoma as Edlira Hyseni e Durrësit. Ndërsa Lefter Koka, i pari i listës së Durrësit nuk e dorëzoi mandatin.
Nga Partia Demokratike kanë refuzuar kërkesën e Selisë Blu për të hequr dorë nga mandati Ligoraq Karamelo, i 6-i në qarkun e Korçës dhe Lefter Maliqi, i treti në qarkun e Beratit, por që në vitin 2017 bëri fushatë për Partinë Socialiste dhe sot mban detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Nuk ka ende një vendim të qartë për Erion Picirin dhe Selami Jenisherin.
Ndërsa Mylsim Murrizi dhe Rudina Hajdari nuk i kanë dorëzuar mandatet, e po kështu as Nard Ndoka, që kandidoi nën siglën e PD në zgjedhjet e vitit 2017.
Mesditën e të mërkurës, Partia Demokratike dorëzoi në KQZ dorëheqjet e 38 kandidatëve të listës pritëse.
Kandidatët në listën pritëse kanë 10 ditë afat për të vendosur, pas thirrjes që marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të pranuar mandatin.
Me emrat e mësipërm, në parlament pritet të jenë 13 deputetë të opozitës, 7 prej të cilëve nga të PD dhe 6 të LSI, përballë 75 deputetëve të Partisë Socialistë dhe PDIU-së që i janë bashkuar asaj.
Tv Klan