Anulohet edhe tenderi i dyte per linjen 220 kv Burrel-Peshkopi

2019-03-01 1

Tenderi për linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi është anuluar. Televizioni Klan ka mësuar se procedura e përsëritur e ritenderimit të punimeve të kësaj linje nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, pas skandalit me DH Albania ka pësuar të njëjtin fat si loti i parë i Unazës së Madhe, ku Autoriteti Rrugor vendosi skualifikimin e të gjithë operatorëve.

5 kompani, të cilat paraqitën interes për ndërtimin e linjës Burrel-Peshkopi janë skualifikuar nga gara, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e përcaktuara në specifikimet teknike të tenderit.

Fondi limit i këtij prokurimi mbeti i njëjtë, edhe në procedurën e dytë që shpalli qeveria, por ofertat e operatorëve këtë herë ishin më të ulëta.

Në garën e parë morën pjesë dy firma: DH Albania dhe Argus Power, e cila nuk paraqiti ofertë, ndërsa fituese rezultoi DH Albania me një ofertë 1 miliardë e 206 milionë lekë për ndërtimin e linjës, 531 mijë lekë më pak se fondi limit.

Në tenderin e dytë oferta më e ulët ra në 1 miliardë lekë, ndërsa më e larta arriti në 1 miliardë e 180 milionë lekë.

Akoma nuk është vendosur nëse do të ketë ritenderim për këtë linjë, ndërsa për Unazën e Madhe vetë ministria është shprehur se do të nisë një proces konsultimi për projektin e lotit të parë.

Tv Klan