Tkurren fondet e investimeve

2019-02-27 0

Pas një shpërthimi që pati dy vitet e fundit, tregu i fondeve të investimeve, në fund të vitit 2018-s pati një tkurrje me 9%. Sipas statistikave zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vlera e aseteve arriti në 535 milionë euro, duke rënë me 54 milionë euro që prej Dhjetorit të vitit 2017, ndërsa numri i investitorëve të larguar arriti në 1765 persona.

Ekspertët evidentojnë dy shkaqe kryesore të tkurrjes së kësaj alternative investimi. Artan Gjergji, drejtues i një burse private në Shqipëri, thotë se problemi është te norma e ulët e kthimit të investimit për paratë që investohen në monedhën euro.

Por një tjetër arsye se përse tregu i investimeve nuk po bëhet më tërheqës për investitorët janë edhe alternativat e pakta të llojeve se ku do të investohen paratë.

Në 3 vitet e fundit, disa banka tentuan që të zhvillojnë këtë treg, si një hapësirë të munguar në investimet financiare në Shqipëri, ndërsa shumë depozitues zgjodhën që të futin paratë e tyre në këto fonde për shkak të normave të ulëta të interesit që marrin për depozitat bankare.

Megjithë këto zhvillime, sërish fitimi që po sigurohet nga fondet po arrin në nivele të ngjashme me ato të depozitave në banka.

Tv Klan