Qëllohet me armë makina ku po udhëtonte inspektori i Lezhës, bashkia: Kapni autorët

2019-02-27 4

Një automjet tip 'Ford' që po lëvizte në aksin Lezhë- Tiranë dhe brenda tij ndodheshin dy persona, njëri prej tyre punonjës i bashkisë Lezhë është qëlluar më armë zjarri mëngjesin e sotëm. Makina drejtohej nga Mirel Ndoka, i cili është punonjës i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor, ndërsa bashkë me të ishte edhe Edmond Mhilli, ish-punonjës në njësinë e Zejmenit.

Dy plumbat e kanë kapur makinën në pjesën e poshtme. Ngjarja është shënuar rreth orës 09:50 në dalje të Lezhës pranë fshatit Tresh, teksa nuk raportohet për të lënduar. Agresorët kanë qenë në një tjetër mjet në lëvizje dhe janë larguar me shpejtësi.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe forcat policore po kryejnë të gjitha veprimet për zbardhjen rrethanave dhe ndalimin e autorëve. Deri tani janë shoqëruar disa persona, dëshmitarë okularë, ndërsa po kontrollohen kamerat pranë vendngjarjes si dhe janë ngritur pika kontrolli.

Bashkia Lezhë reagoi duke dënuar ngjarjen e ndodhur. Sipas bashkisë, kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me punën e inspektorit Mirel Ndoka në bashki apo rrethana të tjera të kësaj natyre. Bashkia Lezhë i bën thirrje Policisë së Shtetit, të vendosë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeje që cënon rendin dhe sigurinë publike.