Report TV - Rama: Mandati deri në fund, do të bëjmë transformim epokal në universitete

2019-02-27 0

Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur duke përsëritur sërish ditën e sotme në mënyrë indirekte se mandatin e marrë në vitin 2017 do ta dërgojë deri në fund, pavarësisht protestave të opozitës që kërkon largimin e tij nga pushteti. Nga takimi i përjavshëm i bashkëqeverisjes, referuar paktit për Universitetin, ai tha se këtë mandat do të ketë një transformim epokal.

"Platforma është produkt i besimit të qytetarëve për të bashkëqeverisur me njerëzit e zakonshëm. Është si adresë urgjence për të gjithë ata që 'plagosen' në zyrat e shtetit. Sot kishim mbledhjen e përjavshme që bëjmë me të gjithë ministrat që janë angazhuar për Paktin për Universitetin dhe jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha të dhënave për nevojat e universiteteve në drejtim të infrastrukturës, për ato që kanë nevojë për projekte. Por edhe për logjistikën, laboratorët, praktikat e punës dhe konsulencat.

Gjatë këtij mandati ne do të mund të çelim kantierin më të madh në historinë e universitetit për të kryer një transformim epokal në të gjitha drejtimet. Jemi të vendosur për të dëgjuar dhe të reagojmë kur ajo që dëgjojmë na mëson dicka, pa pasur për asnjë moment atë tendencën për të thënë 'Jo' apo të bëjmë sikur nuk kemi dëgjuar. Zëri i qytetarit nuk është vetëm kur ai zgjedh, aty është gjykimi, zëri duhet të dëgjohet gjatë gjithë kohës. Sa shumë njerëz në fushatë janë përpjekur të thonë unë jam zëri juaj dhe gjithcka e ka marrë era, por me ne është ndryshe" tha ai.