Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrëzoi kërkesën e Partisë Socialiste për të mos lejuar kandidimin në zgjedhjet lokale të kryetarëve të bashkisë që kanë më shumë se tre mandate njëri pas tjetrit. Për të kaluar kjo kërkesë, duheshin 5 vota, por u morën vetëm 4 pro. Kundër votoi vetëm kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i cili është propozuar nga Partia Republikane, aleate e Partisë Demokratike. Tani rruga ngelet Kolegji Zgjedhor.
Pavarësisht vendimit të sotëm të KQZ-së, burime nga Partia Socialiste thanë për Report Tv, se përsakohë ligji për qeverisjen vendore është i tillë që një kryebashkiak nuk mund të ketë më shumë se 3 mandate të njëpasnjëshme, vetë socialistët do të ndjekin këtë linjë, duke mos i rikandiduar kryebashkiakët me 3 mandate.
PS kërkoi që të gjithë kryebashkiakët aktualë, të cilët kanë tre mandate, të mos kenë më mundësi për të kandiduar sërish në zgjedhjet që pritet të mbahen 30 qershor të 2019-ës. PS i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të mos pranohej kandidatura e asnjë kryebashkiaku që ka tre mandate, sipas ligjit të ri.
Kështu, Partia Socialiste, do t'i mbyllte rrugën për rikandidim, kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, Qazim Sejdinit të Elbasanit, por edhe Xhelal Mziut të propozuar nga PD, që drejton bashkinë e Kamzës, të cilët janë në pushtet prej mëse tre mandatesh.
Në të njëjtat kushte është edhe Fiqiri Ismaili, kryetar i Bashkisë së Vorës. Në Poliçan po ashtu, Adriatik Zotkaj, kryebashkiaku aktual, ka në pushtet që nga vitit 2003, në mandatin e parë i zgjedhur nga PBDNJ, dhe më tej nga Partia Socialiste. Njëjtë dhe Zef Hila i kandiduar nga PD, që drejton bashkinë e Vaut të Dejës, etj. Gjithashtu, minoritari Edmond Themelko nuk do të mund të kandidonte më në Pustec.
Ligji për qeverisjen vendore i ndryshuar në vitin 2015, e përcakton se kryetari i Bashkisë mund të ushtrojë vetëm tre mandate të njëpasnjëshme në krye të bashkisë. Dhe mund të ketë të drejtë të rikandidojë vetëm pas një shkëputjeje, pra jo më shumë se tre mandate njëra pas tjetrës. Ndërkohë edhe pse ligji ka ekzistuar, interpretimet që i janë bërë prej kryebashkiakëve, kanë qenë të tilla që i hapnin shteg kandidimit të tyre, pra të kryetarëve me më shumë se 3 mandate, edhe në këto zgjedhje të 2019-ës. Sipas tyre, ligji hyn në fuqi në momentin që është miratuar (2015), dhe nuk ka fuqi prapavepruese.