Report TV - Nën hetim për koncesionin e parkingjeve, i digjet makina zyrtarit të Bashkisë së Vlorës

2019-02-26 2

I digjet makina zyrtarit të bashkisë së Vlorës të vënë nën hetim për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin e parkingjeve në qytetin bregdetar. Makina e zyrtarit në drejtorinë e Urbanistikës në Bashki, u shkrumbua së bashku me 4 automjete të tjerë, njëri prej të cilëve i bashkëshortes së tij.

Makinat kanë qenë të parkuara pranë njëra-tjetrën në zonën e Ujit të Ftohtë, ku zyrtari banon, ngjarje e ndodhur një orë pas mesnate, rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm. Dyshimet e policisë janë për zjarrvënie të qëllimshme, por ende nuk është përcaktuar nëse makinave i është vënë flaka për shkak të detyrës që Sherifaj ushtron.

Flakët janë shuar nga forcat zjarrfikëse, ndërsa policia gjeti në vendin e ngjarjes dy bidona me benzinë të cilat janë përdoruar nga autorët që kanë spërkatur automjetet. Objektiv ka qenë djegia e makinës së zyrtarit të bashkisë dhe bashkëshortes së tij, ndërsa djegia e tre automjeteve të tjera ka qenë aksidentale si pasojë e përhapjes së flakëve.

Për të zbardhur ngjarjen policia ka marrë në pyetje drejtorin e Shërbimeve në Bashkinë e Vlorës, ndërsa ka sekuestruar kamerat e sigurisë që ndodhen në afërsi të bllokut të pallateve ku u dogjën makinat.

Gentjan Sherifaj është në hetim bashkë me ish-kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, dhe 6 ish-zyrtarë të tjerë të bashkisë së Vlorës. Ata akuzohen për shpërdorim të detyrës, pasi si anëtarë të komisionit që ishte ngarkuar për krijimin e kushteve të dhënies të koncesionit të parkingjeve në 25 rrugë të Vlorës, kanë shpallur fituese një kompani offshore me kontratë 15 vjeçare. Përfaqësues i saj është Bashkim Shalla, mik i Kadri Veselit në Kosovë dhe disa politikanëve në Shqipëri. Kompania e tij është regjistruar në mënyrë të dyshimtë në shtetin e Delawarë në SHBA.