Report TV - Vakancat në Kuvend, KQZ: Kandidatët në lista, 10 ditë afat

2019-02-26 0

Nga sot, zyrtarisht, e gjitha opozita e bashkuar, nuk ka më deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Asnjëri prej tyre, që hoqën dorë nga mandati, nuk do të gëzojë të drejtat e deputetit.

Pasi Kuvendi shpalli dje vakancat, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka vijuar proceduar për të zëvendësuar si deputetët e opozitës, me kandidatët pasues në listat e PD-së, LSI-së, dhe aleatëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në një deklaratë për mediat sot, zëdhënësja e KQZ-së, u bëri thirrje kandidatëve të listave, se kanë 10 ditë kohë për të dorëzuar formularët e vetëdeklarimit.

Kështu, nga sot, të gjithë përfaqësuesit e opozitës, quhen ish-deputetë, duke mos gëzuar më të drejtën për të marrë rrogë, dhe të gjitha përfitimet e tjera që buronin nga mandati. Atribute që i kalojnë të gjitha një kandidati në listat e forcave opozitare, nëse ai do të pranojë mandatin e deputetit.

Deri më tani kundër vendimit të grupeve, kanë dalë deputeti i PD-së, Mylsim Murrizi dhe Lefter Koka i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa ende është pezull vendimi i deputetes Rudina Hajdari, vajzës së të ndjerit Azem Hajdari.