Presidenti i Kosovës u shpreh se taksa për mallrat serbe duhet të rishikohet për t'u hequr për dy arsye, e para sepse mallrat serbe pavarësisht masës së vendosur po futen kontrabandë dhe e dyta se Kosova nuk mund të dalë kundër këshillës së Amerikës.
Kryeministri Haradinaj është shprehur se nuk e heq taksën 100% kundrejt produkteve serbe dhe boshnjake. Në qoftë se nuk e heq, ikën qeveria?
Pushtetet janë të ndara. Presidenti ka punën e vet, Kuvendi ka të vetën, ashtu si edhe qeveria ka punën e vet. Puna e taksës është një çështje që e ka vendosur qeveria me propozimin e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës me 10% dhe pastaj është avancuar në 100% nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili e ka propozuar, nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe që është institucionalizuar nga qeveria e Kosovës. Tani u takon që ta zhvillojnë debatin vetë, brenda në qeveri, por një gjë mund të them se Serbia e ka merituar një vendim të tillë, në veçanti pas veprimeve agresive që ka bërë në raport me diplomacinë e Kosovës dhe të drejtën e Kosovës për t?u anëtarësuar në Interpol dhe në UNESKO, por edhe në përpjekje për mosnjohjen e Kosovës nga vende të caktuara në botë.
Por duhet pasur parasysh se tani kaluam një kohë dhe unë besoj gjithashtu se do të ketë një debat të brendshëm mes partnerëve të koalicionit dhe, me të gjithë ata që kam diskutuar, shohim se ajo taksë ka pasur efektin e vet. Me të gjithë partnerët që kam diskutuar shoh një vullnet për të lëvizur përpara, t?i hapet një mundësi dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Nuk pajtohem në asnjë rrethanë që Serbia të kushtëzojë dialogun. Gjithashtu edhe Kosova nuk duhet ta vështirësojë këtë proces, sepse, pavarësisht se taksa tani është në fuqi, mallrat serbe janë duke hyrë në Kosovë qoftë përmes kontrabandës në veri, që tani është fuqizuar, dhe për këtë duhet të jemi realistë dhe kemi diskutuar me intitucionet e Kosovës, por mallrat serbe po futen edhe përmes Malit të Zi, përmes Shqipërisë dhe në veçanti përmes Maqedonisë. Prandaj mallrat serbe janë prezente në Kosovë. Është e vërtetë që po funksionon taksa, por ato po futen përmes shteteve të tjera.