Basha: Po pergatitet arrestimi i Dakos

2019-02-25 2

Kreu i Partisë Demokratike deklaron se po përgatitet arrestimi i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Pas një mbledhje me krerët e degëve të Tiranës ku diskutoi detajet e protestës së ardhshme të opozitës, Basha tha se prangosja e Dakos është e vonuar.
"Orët e fundit janë intesifikuar informacionet se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Arrestimi i Dakos duhet të kishte ndodhur që kur dosja 339 faktoi që ai dhe të tjerë socialistë janë kapur në përgjime zyrtare të prokurorisë duke bashkëpunuar me krimin e organizuar për të tjetërsuar votën e qytetarëve të Durrësit dhe gjithë Shqipërisë".
Sipas Bashës, arrestimi i Dakos nuk e shpëton Kryeministrin nga përgjegjësia politike e vjedhjes së votave.
"Mund të flijohet Vangjush Dako, apo edhe njerëz të tjerë edhe më afër tij. Vendi nuk mund të mbetet më peng i njerëzve që e kanë plaçkitur. Edi Rama duhet të largohet".
Më herët kryedemokrati Basha takoi aleatët e tij. Ata nuk përjashtuan idenë e marrjes së një tjetër vendimi ekstrem pas lënies së mandateve të deputetëve, atë për tërheqjen e të zgjedhurve vendorë.
Dashamir Shehi: "Këto do të diskutohen pas datës 16. Të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë. Në të gjitha institucionet, në të gjithë hapësirën shoqërore, politike dhe ndërkombëtare. Këtë do e përcaktojmë pas datës 16 Mars kur do të jetë dhe protesta e madhe".
Fatmir Mediu: "Opozita duhet të bëjë çdo gjë që do ta çojë Shqipërinë në binarët kushtetues dhe europian. Problemi më i madh i Shqipërisë është korrupsioni".