KE: Palet politike te ulen ne bisedime

2019-02-25 0

Komisioni Europian bën thirrje për diskutime konstruktive midis mazhorancës dhe opozitës për kapërcimin e situatës në Shqipëri, duke përjashtuar momentalisht një ndërmjetësim të Bashkimit Europian.

Kjo është përgjigjja që ka dhënë zëdhënësja e Komisionit Europian, e pyetur nëse komisioneri Hahn do të ndërmjetësojë situatën e krijuar pas djegies së mandateve parlamentare nga partitë e opozitës, siç e ka bërë në Maqedoni.


Maja Koçijaçiç ka ripërsëritur qëndrimin se heqja dorë nga mandatet parlamentare nga ana e opozitës cenon demokracinë dhe procesin e integrimit dhe është kundraproduktive.

?Ne presim që të gjithë anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë në Parlament dhe të evitojnë masat për akte dhune dhe deklarata ndezëse.?

Zëdhënësja e Komisionit Europian është pyetur edhe për kontestimet lidhur me kapërcimin e fazës së parë të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve që nuk kanë hetuar dosje të nxehta të korrupsionit dhe nuk kanë justifikuar pasuritë e tyre. Ajo theksoi se Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit nuk po sakrifikon cilësinë e procesit për ta finalizuar sa më shpejt atë.

Shtetet e Bashkuara, institucionet e Bashkimit Europian dhe OSBE e kanë cilësuar vendimin e opozitës për heqjen e mandatave, si cenim të demokracisë. Ambasada amerikane në Tiranë, u bëri thirrje deputetëve të refuzojnë djegien e mandateve.

Tv Klan

Free Traffic Exchange