Report Tv - Rama: Nuk ka kaos dhe revoltë nga populli, opozita i fryn zjarrit

2019-02-24 0

Protestat që po ndodhin në Shqipëri nga opozita e bashkuar, kryeministri Edi Rama nuk i quan një revoltë popullore. Ai thotë se nuk ka asnjë situatë kaotike, por është opozita ajo që i fryn zjarrit pasi sipas tij nuk duan të përballen me një humbje tjetër në zgjedhjet lokale.

Në një intervistë për gazetën italiane il Fatto Quotidiano, kreu i qeverisë shqiptare thotë se vendimi për djegien e mandateve, fsheh frikën nga reforma në drejtësi. E quan të pafalshme pasojat që opozitarët i kanë dhënë imazhit të Shqipërisë përmes protestave të dhunshme.

Vlerëson edhe protestën e studentëve: Ishte një moment intensiv, por edhe shumë i bukur i demokracisë sonë ende të re, të brishtë dhe jo perfekte.