Zyrtarizohet regjimi i ri në spitale, me disiplinimin e orarit të vizitave të familjarëve në spitale. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka firmosur urdhrin për regjimin e disiplinës dhe rregullave për aksesin e vizitorëve në çdo spital universitar, rajonal dhe bashkiak në vend.
Regjimi i ri është i unifikuar, pra në çdo spital universitar, rajonal apo bashkiak, janë përcaktuar orare fikse të vizitave të familjarëve dhe është ndaluar prezenca e familjarëve në Urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku.
Konkretisht, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 - 13:00 dhe mbasdite nga ora 17:00 -19:00. Ndërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00 ? 12:00 dhe 18:00 ? 19:00. Këto orare do të jenë të afishuara në çdo hyrje spitali dhe pavione.