Zbulohen pesë deputetët e opozitës që nuk firmosën djegien e mandatit

2019-02-21 0

Deri tani i kanë dorëzuar formularët e dorëheqjes në protokollin e Kuvendit, 56 deputetë, 39 nga Partia Demokratike dhe 17 nga LSI. 5 deputetë ende nuk kanë nënshkruar.

Nuk ka firmosur siç kishte njoftuar Lefter Koka, por akoma nuk ka shpjeguar mos dorëzimin e mandatit deputeti i PD-së Myslim Murrizi. Ndërsa me argumentin se janë jashtë Shqipërinë, demokratët janë në pritje të firmës së Rudina Hajdarit, Fatmir Mediut dhe Nard Ndokës.

Po çfarë do të ndodhë tani me 56 mandatet e dorëzuara?

Deputetët e opozitës nuk u paraqitën një nga një në protokollin e Kuvendit. Kjo mund të bëjë që brenda afatit 30 ditor që Kodi Zgjedhor i njeh Kuvendit, këshilli i mandateve të thërrasë një nga një deputetët që të konfirmojnë dorëzimin e mandatit.

Më pas, Kuvendi është i detyruar brenda 23 Marsit t?i përcjellë kërkesat pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Brenda 30 ditëve edhe KQZ duhet të shprehet për ndërprerjen e mandatit të deputetëve të opozitës. Nuk përjashtohet mundësia që edhe ky institucion ti thërrasë fizikisht të gjithë deputetët.

Në rast se të gjithë konfirmojnë bindjen për të djegur mandatet, atëherë KQZ duhet të ndërpresë këto mandate dhe tua kalojë ato kandidatëve në listën vijuese të PD dhe LSI.

Por PD dhe LSI kanë marrë masa që as kandidatët në pritje të mos e pranojnë mandatin. Selitë qendrore kanë mbledhur deklarimet e tyre ku shprehen se refuzojnë mandatet, formularë të cilat pritet të depozitohen në KQZ në ditët në vijim. Në këtë pikë shteron fantazia e ligjbërësve se kujt i shkojnë mandatet e djegura nga opozita.

Por 60 ditë kohë janë përpara se të mbërrijmë në këtë udhëkryq, të mjaftueshme për një zgjidhje politike, apo për influenca selish diplomatike.

Deri në vendimmarrjen e KQZ-së për tu ndërprerë mandatet, të gjithë të dorëhequrit e opozitës janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzojnë të gjitha privilegjet që ligji ju jep.