Tenderat ne MD, merret ne pyetje ish-ministri Manjani

2019-02-20 1

Prokuroria e Tiranës ka nisur marrjen në pyetje të ish-zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me skandalin e tenderave të zhvilluar në këtë dikaster gjatë viteve 2016-2017. Të martën grupi hetimor ka pyetur ish-ministrin e Drejtësisë Ylli Manjani i cili ka qëndruar në prokurori rreth 2 orë.

Manjani nuk do jetë i vetmi ish-ministër që do të pyetet për 5 tenderat, në të cilat sipas prokurorisë, janë shkelur procedurat dhe zyrtarë të ndryshëm kanë shpërdoruar detyrën. Burimet sqarojnë se edhe dy ish-ministra të Drejtesisë do të japin sqarime në lidhje me këtë hetim që po kryen Prokuroria e Tiranës. Për abuzimet me tenderat, policia arrestoi zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë të cilët u liruan nga Gjykata në arrest shtëpie.

E njëjta masë është vendosur edhe për ish-Sekretaren e Përgjithshme Juliana Hoxha. Masa e detyrimit për t'u paraqitur në Prokurori u vendos për 12 zyrtarë të tjerë. Këta persona, sipas prokurorisë, kanë abuzuar me 5 tendera të zhvilluara nga Ministria e Drejtësisë. Konkretisht, tek ai i përmirësimit të regjistrit noterial dhe përmbarimor.

Pavarësisht se këto dy shërbime nuk funksiononin buxheti i shtetit vazhdonte të paguante për to. Gjithashtu janë gjetur shkelje të rënda në sistemin e mbikëqyrjes elektronike dhe regjistrin online të 7 gjykatave administrative. Abuzime janë gjetur edhe në tenderin e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujës dhe Lezhës. Dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit është disa miliona Euro.

Tv Klan

Free Traffic Exchange