Basha: Nuk ka kthim pas per mandatet

2019-02-19 0

Lulzim Basha mohon çdo mundësi negociimi me Edi Ramen dhe çdo mundesi për t?u tërhequr nga vendimi për djegien e mandateve.

"Ajo që do ndodhë është kjo nuk ka kthim prapa, nuk është thjesht çështje mandatesh, nuk do ketë më parlament  dhe për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë negociatë".

Basha thote se vendit i duhet një qeveri tranzitore, për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme dhe për të bërë drejtësi.

"E para, dorëheqja e Edi Ramës, largimi i Edi Ramës dhe hetimi i tij. Qeveria tranzitore duhet të mundësojë që të mos ketë asnjë ndërhyrje politike si ajo që bëri Edi Rama për të mbrojtur Vangjush Dakon. Damian Gjiknuri, Taulant Balla që ka vjedhur votat duhet të shkojnë në burg".

Kryetari i Partisë Demokratike iu përgjigj edhe deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, sipas së cilës vendimi i opozitës shqiptare për të bojkotuar parlamentin dhe djegur mandatet është kundër-produktiv dhe shkon kundër reformave që kërkon integrimi.

"Pengesa kryesore e integrimit të Shqipërisë është qeveria e kapur duke vjedhur zgjedhjet, siç demonstron dosja 339. Në Europë kur qeveria kapet duke vjedhur, në çdo vend të Europës ikën qeveria dhe fajtorët ndëshkohen para ligjit dhe hyjnë në burg. BE duhet të jetë e besueshme".

Basha takoi paraditen kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Bujar Nishani, teksa është planifikuar që këshilli të mblidhet pasditen e së mërkurës për të marrë vendimin përfundimtar për djegien e mandatave. Pasdite, Basha do të mbledhë edhe kryesinë e Partisë Demokratike.

Tv Klan