Protestuesit shpërthyen në dhunë duke i vënë flakën shkallëve të kryeministrisë që solli dhe largimin e kordonit të policisë. Thyen derën kryesore për të hyrë në kryeministri me dërrasa dhe me hekura të shkëputura nga skela mbrojtëse që ishte vendosur në hyrje të godinës. Hodhën kapsollë dhe dogjën pankarta. U larguan vetëm pasi Garda e Republikës e vendosur mbi tarracën e kryeministrisë, hodhi gaz lotsjellës.
Por për ish-kryeministrin Sali Berisha, liderin demokrat Lulzim Basha dhe kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, dhuna u nxit nga qeveria dhe ishte një provokim i policisë. Këtu liderët e opozitës i referohen faktit qe kordoni i policisë që ishte vendosur në hyrje të kryeministrisë, u largua. Por siç u pa në pamjet e transmetuara kudo live në media, protestuesit i vunë zjarrin kryeministrisë duke hedhur kapsollë dhe duke djegur pankarta. Kjo detyroi efektivët të largohen.