Kompjuterat që shërbenin për të aksesuar sistemin informativ qëndrojnë ende në hollin e fakulteteve, edhe pse jashtë funksionit. Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, hapësira e tyre është kthyer në zyrë kontakti dhe për këshillimin e karrierës. Të parët që përballen me vështirësitë që ka krijuar mungesa e sistemit janë studentët.
"Sistemi ka funksionuar kur ishim në vit të parë. Tani jo. Aty merrnim shërbime si notat, oraret, ankimimet, dhe shmangej radha në zyra".
"Sistemi ka 2 vite nuk po funksionon, unë nuk jam regjistruar fare", shprehet një tjetër studente.
"I marrim shumë prej shërbimeve tek Sekretaria".
Shqetësimin e ngrenë edhe pedagogët, që janë detyruar t?' rikthehen edhe njëherë letrës dhe lapsit për të mbajtur të dhënat e studentëve.
Mosfunksionimi i sistemit, sipas Dekanit të Fakultetit Juridik, ka penguar edhe hartimin e listave të studentëve që përfitojnë nga ulja e tarifave.
Për të marrë një përgjigje për mosfunksionim e sistemit informativ ju drejtuam Rektoratit të UT, ku na u tha se ende nuk është bërë tenderimi për një fond të ri për mirëmbajtjen e sistemit.
Kjo çështje është kthyer në debat mes Rektorit dhe administratorit se kush i ka kompetencat për të mbikëqyrur funksionimin e sistemit. Deri në gjetjen e një zgjidhje, studentët do të ndjekin metodën e vjetër, atë të pyetjes në Sekretari për notat dhe gjithçka tjetër lidhet me studimet e tyre.
Tv Klan