Kordoni i policisë i vendosur para kryeministrisë u ça disa herë nga protestuesit të cilët me dhunë arritën të shkatërrojnë skelën mbrojtëse dhe të dëmtojnë derën hyrëse për në kryeministri duke e thyer me dërrasa dhe mjete të forta. Por është një moment kyç pse kordoni i policëve u largua. Protestuesit i vunë flakën shkallëve të kryeministrisë, dogjën pankarta pas kurrizit të efektivëve duke rrezikuar jetën e tyre. Policët u larguan për t'i shpëtuar flakëve të zjarrit.
Garda e Republikës e vendosur në tarracën e kryeministrisë hodhi gaz lotsjellës çka solli largimin momental të turmës nga hyrja e godinës së kryeministrisë.
Janë rikthyer disa herë më tej duke shembur me dhunë çfarë u dilte para, dhe po ashtu janë shpërndarë sërish për shkak të gazit lotsjellës i cili solli edhe probleme shëndetësore jo vetëm për protestues, por edhe vetë efektivë të policisë dhe përfaqësues të mediave që ndjekin zhvillimet e protestës në terren. Këto janë fotot nga hedhja e gazit lotsjellës dhe vënia e flakës nga protestuesit.