1 ton kanabis i sekuestruar mbrëmjen e së mërkurës në Kapshticë, do të shkëmbehej me drogë më të fortë në Turqi. Ky është dyshimi kryesor i hetuesve, i cili nxjerr në pah linjën e vjetër të trafikut të drogës mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Trafikantët shqiptarë këmbejnë hashashin me heroinën, të cilën më pas e trafikojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian, apo edhe e shesin në vendin tonë. Sasia prej 1074 kilogramësh u sekuestrua në këtë kamion mallrash, që udhëtonte drejt Greqisë, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte Turqia.
Informacionet e policisë për transportin e ngarkesës me drogë rezultuan të sakta, duke sjellë sekuestrimin e sasisë më të madhe të drogës gjatë viteve të fundit në këtë pikë doganore. Në pranga përfundoi shoferi i kamionit dhe shoqëruesin i tij.
Lënda narkotike ishte e futur në disa thasë të ngarkuar në kamionin me targa AA 874 UZ. Pas bllokimit të kanabisit, agjentët e antidrogës vijuan kontrollin edhe tek një tjetër kamion, që gjithashtu udhëtonte drejt Greqisë, por që rezultoi i pastër.
Kamioni ku u gjet droga ishte nisur nga Tirana dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë pjesë këtij grupi. Hetuesit kanë dyshime se ky nuk është një rast i shkëputur, por kemi të bëjmë me një linje trafiku, e cila ka vite që është aktive.
Tv Klan