Report TV - Ja si 5 ‘gjyqtarët e PD’ kthyen për rigjykim në Apel dosjen e Dritan Dajtit në 2016

2019-02-12 2

Vendimi i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda për t?i hequr dënimin për jetë Dritan Dajtit është pasojë e një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Lartë, e cila riktheu për gjykim në Apel dosjen e Dritan Dajtit. Më 13 korrik të 2016, pesë ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë vendosën rrëzimin e vendimit nr. 122, datë 01.12.2014 të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, si dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë me tjetër trup gjykues. Pesë ish-anëtarët që firmosën këtë vendim janë Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Shkëlzen Selimi, Tom Ndreca dhe Evelina Qirjako. Edmond Islamaj, Tom Ndreca dhe Shkëlzen Selimi janë shkarkuar nga detyra nga komisionet e Vetingut për mosjustifikim të pasurisë me të ardhura të ligjshme si dhe për kontakte me elementë të përfshirë në krim të organizuar.

Ndërkaq, Guxim Zenelaj dhe Evelina Qirjako u larguan nga Gjykata e Lartë para se të vepronte ligji i Vetingut, duke shfrytëzuar mbarimin e mandatit. Edhe pse sipas Kushtetutës gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit, dy ish-gjyqtarët u larguan nga drejtësia, duke evituar kësisoj përballjen me procesin e Vetingut. Ndërkaq, që të pesë ish-gjyqtarët janë promovuar dhe emëruar në Parlament nga Partia Demokratike, e cila akuzon sot shumicën për heqjen e dënimit të përjetshëm Dritan Dajti. Vetëm disa muaj para largimit nga pushteti, Partia Demokratike, në ato kohë nën drejtimin e Sali Berishës, emëroi Tom Ndrecën në Gjykatën e Lartë. Në qershor të vitit 2011, me votat e Partisë Demokratike, janë emëruar në Gjykatën e Lartë Shkëlzen Selimi dhe Edmond Islamaj. Dy ish-gjyqtarët e tjerë të trupës gjykuese janë emëruar nga Partia Demokratike në vitin 2008 në Gjykatën e Lartë.