Report Tv-Dy gjyqtarë votuan kundër heqjes së dënimit përjetë për Dritan Dajtin

2019-02-11 0

TIRANE-Vendimi i gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda tre ditë më parë (lexo ketu) për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit "Iliria" në Durrës dhe dënimin përfundimisht të tij me 25 vite burg ka shkaktuar reagime të forta nga qeveria, opozita dhe opinioni publik, ndërsa prokuroria po përgatitet për rekurs të dosjes në Gjykatën e Lartë.

Trupa gjykuese që dha vendimin përbëhej nga; Fuat Vjerdha, që është edhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër, anëtarët janë Lindita Hoxha e Aleks Nikolli, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ndërsa pesëshja e gjyqtarëve u plotësua me dy gjyqtarët e tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë. Por si votuan 5 gjyqtarët në vendimin për Dritan Dajtin?

Report Tv ka siguruar vendimin. Nga dokumenti duket që tre gjyqtarë, të cilët janë; Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Danimi kanë votuar për aplikimin e gjykimit të shkurtuar dhe dënimin përfundimtar me 25 vite burg. Ndërsa dy gjyqtarët e tjerë; Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha kanë votuar pjesërisht kundër për heqjen e dënimit përjetë.