Kompania EKMA në bashkëpronësi të biznesmenit Klodjan Allajbeu e Haxhi Bardhi, cila administron tregun e Shumicës Agroushqimore ka pretenduar edhe këtë të hënë në Gjykatën Administrative rrëzimin e gjobës vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës.
Nën drejtimin e gjyqtarit Avni Sjedi, i cili më parë ka pezulluar ekzekutimin e gjobës, avokatët e EKMA dhe Autoritetit të Konkurrencës janë përballur mes tyre me prova dhe argumente për pozitën dominuese të EKMA-s.
Autoriteti i Konkurrencës përfaqësuar nga avokati Indrit Rekan deklaroi se gjoba është e drejtë dhe duhet të mbetet në fuqi pasi EKMA abuzon ndaj tregtarëve me faturim prej 20.5 lekësh për kW/h për energjinë elektrike ndaj tregtarëve dhe 360 lekë m3 për ujin kur çmimet janë disa herë më të lira.
Një tjetër pretendim i Autoritetit të Konkurrencës ishte dhe fakti se EKMA ka një monopol dhe kontratat e qirasë i ka vetëm me penalitetet ndaj tregtarëve dhe asnjë detyrim si qiradhënës.
Të njëjtin qëndrim mbajti dhe Avokatura e Shtetit duke kërkuar lënien në fuqi të gjobës. Ndërsa avokatët e kompanisë EKMA Blerta Ngucaj dhe Florian Hasko kërkuan rrëzimin e padisë.
Sipas tyre Autoriteti Konkurrencës ka shkelur ligjin pasi asnjë tregtarë nuk është ankuar dhe nuk është larguar nga tregu si dhe gjatë hetimit administrativ nuk janë mbajtur parasysh investimet e bëra nga EKMA e cila është edhe në bashkëpronësinë e biznesmenit Allajbeu.
Gjatë shqyrtimit nëse EKMA ka apo jo pozitë dominuese, ndërhyri me pyetje edhe gjyqtari Avni Sjedi duke ju drejtuar avokatëve të EKMA-s: Po ku do të shkojnë tregtarët nëse largohen, ka ndonjë shoqëri tjetër që e ofron këtë shërbim, s'ka treg tjetër të miratuar?
Për pozitë dominuese dhe shkelje të rregullave të konkurrencës autoriteti ka gjobitur EKMA me 46 milion lekë gjobë ndërsa sipas Autoritetit EKMA ofron çmime disa fish më të larta se tregu i shumicës në Elbasan duke përfituar nga monopoli që ka.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Avni Sejdi vendosi që seanca e konkluzioneve për palët EKMA dhe Autoriteti Konkurrencës të zhvillohet më 14 shkurt ora 14:30.