Presidenti i Republikës Ilir Meta kërkoi nga prokuroria që të vendoset në lëvizje për të hetuar vendimin e gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për heqjen e dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin përfundimisht të tij me 25 vite burg. "Mbështes reagimin dhe thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Europian. KLGJ dhe Prokuroria e Përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe hetuar çështjen në fjalë" tha Meta.
Gjithashtu kreu i shtetit foli edhe për ngërcin e krijuar për emrin e ri të kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi deri tani shumica ka rrëzuar dy kandidaturat e tij, Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin. Meta u pyet nëse do të jetë deputeti i PS-së, Anastas Angjeli kandidatura e tretë. "Unë jam i bindur që të gjitha zgjidhjet dhe propozimet e Presidentit synojnë forcimin e institucioneve të pavarura dhe sundimin e ligjit jo të shumicave" tha Meta.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklarata i bëri, pasi mori pjesë sot në konferencën e organizuar nga INFOÇIP me temë ?Marrëdhëniet e Punës dhe Shqyrtimi Gjyqësor?. Kreu i shtetit deklaroi se rastet e largimit të padrejtë nga puna janë konkrete dhe se numri është në rritje. Meta u shpreh se ligjet e miratuara janë të mira, por nuk zbatohen, ndërsa kërkoi që të shtrohet për diskutim ideja, që nëse gjykata i jep të drejtë punonjësit të shkarkuar, atëherë të jetë zyrtari që e ka liruar nga detyra që të paguajë kostot financiare dhe jo taksapaguesit.