Report Tv - Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit organizojnë Dajti n’Fest

2019-02-10 0

Tanimë një traditë, Dajti n?Fest është rikthyer edhe këtë vit me shumë surpriza e aktivitete që promovojnë vlerat, traditat e produktet e zonës, ashtu edhe sportet e ndryshme malore e ekstreme. Qindra qytetarë iu bashkuan dje festës që zgjati deri në orët e vona të pasdites, ku veç argëtimit e ushqimit bio të zonës, patën mundësi të vizitojnë panairin me prodhime artizanale, jo vetëm të zonës së Dajtit, por edhe nga qytete e krahina e ndryshme të vendit.

Festës iu bashkuan edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, të cilët vizituan stendat e produkteve ushqimore dhe të zejeve, si dhe e cilësuan festën si një mundësi shumë e mirë për promovimin e turizmit malor dhe atij të sporteve ekstreme.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi të gjithë ata qytetarë që këtë fundjavë vendosën ta kalojnë në Dajt dhe e cilësoi këtë festë si një mundësi të shkëlqyer për të nxitur zhvillimin e turizmit malor dhe forcuar ekonominë vendase.

Festa e Dajtit, si festa e parë që hap vitin festiv, është një nga mënyrat më të mira për të nisur 2019. Në Tiranë i kemi të gjitha, por duhet pak mukajet: jemi 20 minuta nga Dajti, 20 minuta nga deti, pak minuta nga të gjitha zonat rurale, nga ushqimi bio, agro-turizmi, nga të gjithë ata djem e vajza që janë rikthyer në Shqipëri dhe gjërat që kanë mësuar jashtë po i kthejnë në histori suksesi në fshatrat e Tiranës.

Erion Veliaj, Kreu i Bashkisë së Tiranës