Për vendimin e Gjykatës së Apelit, reagoi ashpër edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. 'Gjyqtarët meritojnë plotësisht që t'u bashkohen pas hekurave klientëve të tyre. Edhe pse nuk mund të jap detaje, operacioni 'Forca e Ligjit' është vendosurnë veprim të plotë për të adresuar atentatin skandaloz që i është bërë drejtësisë, sakrificave dhe gjakut të derdhur nga punonjësit e policisë. Nuk mund dhe nuk do të ketë paqe në shpirtin e policisë, por as tek unë si ministër, derisa ky vendim të zhbëhet nga Gjykata e Lartë dhe autorët e këtij akti të pa shembull dhe fyes të përballen me ligjin dhe drejtësinë e vërtetë.
Personat me profil të lartë kriminal, shumica janë pas hekurave si rezultat i vullnetit të kësaj shumice dhe një policie të reformuar. Ata që krijuan kushtet për kriminelët e rrezikshëm, sot lajnë duart dhe sot përpiqen të krijojnë edhe kapital politik, por shqiptarët i njohin mirë. Po aq të çmendura janë edhe reagimet e mostrave politikeqë përpiqen ti kthejnë në armë kundër qeverisë këto vendime të gjyqtarëve që vetë i kanë ushqyer gjatë viteve të qeverisjes së tyre me një sistem drejtësie të korruptuar dhe me rrjete dhe grupe kriminale që u rritën nën hijen e tyre. I siguroj familjarët se përgjigja e institucioneve do të jetë e fortë dhe ligjore".
Dy ditë më parë Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i provuar si fajtor për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 pranë plazhit "Iliria" në Durrës. Pak kohë më parë ishte Gjykata e Lartë që ktheu dosjen për rigjykim në Apel për shkelje procedurale. Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin në vitin 2014 me 4 dënime përjetë pas 276 seancave. Por me vendimin e Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg (lexo ketu).
Emrat e pesë gjyqtarëve që vendosën të dënojnë me 25 vite burgim Dritan Dajtin, duke prishur kështu vendimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë janë; Kryetar i trupit gjykues Fuat Vjerdha, kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër, dy anëtarët Lindita Hoxha dhe Aleks Nikolli, janë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Pesëshja e gjyqtarëve plotësohej dhe me dy gjyqtarë të tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë (Lexo të plotë). Vendimi për Dritan Dajtin solli reagime të shumta, sidomos nga politika, ndërsa prokuroria ka njoftuar se do të bëjë rekurs në gjykatën e Lartë.