Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në qarkun e Korçës është ndalur edhe në Tushemisht të Pogradecit, fshat që është pjesë e projektit të ?100 fshatrave turistikë? në Shqipëri. Ai tha se, ky fshat është me potencial fantastik, por ende i pashfrytëzuar, ndërsa shumë shpejt do të nisë zbatimi i projekteve.
E ndërsa prezantoi pikat kryesore të strategjisë, Rama në fund deklaroi se të gjitha projektet për Pogradecin presin fundin e qershorit për të marrë fuqinë e domosdoshme për një sinergji të re mes pushtetit vendor dhe atij qendror.
"Do të kemi një 'lungo gjol' nga hyrja e Pogradecit deri këtu. Një segment i posaçëm i shkëputur i kësaj linje do të jetë edhe segmenti që do të ndërtohet në Lin. Punën ta avancojmë në cdo aspekt të programit, modelet dhe pikat e referimit që do të krijojnë gravitete të ndryshme, të një rilindje rurale të shtrirë në të gjitha komponentët e zhvillimit. Jam shpresë plotë që do të rikthehemi jo më për të prezantuar projektet, por për të nisur realizimin konkret të tyre. Ky nuk është një program i zakonshëm, së dyti nuk është program ndërtimi rrugësh rurale.
I siguroj të gjitha ata që na ndjekin që janë qytetarë të kësaj zone, se përndryshe nga sa mund të duket, se ne nuk kemi drejtimin e bashkisë së Pogradecit, kemi qenë dhe jemi shumë të vëmendshëm që jo vetëm kjo zonë e bekuar të mos mbetet mbrapa, por përkundrazi, rruga hyrëse në Pogradec është shprehja e këtij angazhimi. Të gjitha këto projekte presin fundin e qershorit për të marrë atë fuqinë e domosdoshme ekzekutive të një sinergjie të re mes qeverisë me pushtetin vendor" tha Rama.
Aktualisht bashkia e Pogradecit drejtohet nga Eduard Kapri, i zgjedhur nga radhët e PD-së para katër viteve, ndërsa në 30 qershor Partia Socialiste synon që të rimarrë drejtimin e saj.