Report Tv-Ardit Gjoklaj mund të jetë vrarë jashtë landfillit të Sharrës

2019-02-09 0

Ardit Gjoklaj i gjetur i pajetë në landfillin e Sharrës mund të jetë vrarë jashtë fushës së mbeturinave dhe trupi i pajetë i tij mund të jetë transportuar aty nga një mjet ende i paidentifikuar. Është ky një ndër argumentet e shkruara në vendimin nr.1170 datë 17 prill 2018 në gjykatën e Tiranës e cila bazuar në akt-ekspertimet sqaron se viktima mund të jetë vrarë jashtë landfillit dhe është hedhur aty për të humbur gjurmët.

Sipas ekspertëve, këtë e provojnë edhe analizat e ADN-së, ku rezultojnë se nuk ka asnjë provë që Gjoklaj të jetë goditur nga mjeti që ka punuar atë ditë në landfill. ?Në lidhje me aktin e ekspertimit janë pyetur edhe mjekët ligjorë, të cilët kanë shpjeguar se nga gjetja e trupit e përzier me mbeturinat mundet që ngjarja/dëmtimet e para të kenë ndodhur edhe në vend tjetër dhe jo në vendin e gjetjes përfundimisht të trupit?, thuhet në ekspertizën e mjekëve ligjorë.

Por, fakti që hedh dritë më shumë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ekzistenca e një makine të dyshimtë. Në vendimin e zbardhur të Gjykatës theksohet se sipas aktit të ekspertimit të pamjeve me nr.33, dt.16.01.2018 rezulton se, në orën 4:17:53 të datës 07.08.2017 duket në pamje nga drita që hedh një mjet i dyshimtë që vjen në drejtim të kapanonit dhe nuk dallohet çfarë mjeti është. Ky mjet, sipas ekspertëve, qëndron afërsisht 4 minuta dhe largohet po në drejtim të ardhjes ndërsa, fadroma punon në krahun e majtë duke marrë mbeturinat dhe i dërgon tek punëtorët, që në pamje filmike punëtoret nuk dallohen. Kjo i bën hetuesit të dyshojnë se i riu mund të jetë vrarë jashtë landfillit dhe është sjellë qëllimisht aty.

?Nga akti i ekspertimit del se, mjeti fadromë gjatë këqyrjes së pamjeve filmike nuk u konstatua që të punojë tek vendi, ku është gjetur trupi i të ndjerit nga ora 02:52:20 deri në orën 14:17:21 të dt.07.08.2018, për pamjet që janë vendosur në dispozicion?, shprehen ekspertët. Gjykata ka pyetur ekspertët edhe në lidhje me mekanizmin e funksionimit të mjetit fadromë dhe mekanizmit të lëvizjes së tij me zinxhirë, si dhe dëmtimeve që janë konstatuar te viktima të evidentuar nga ekspertët mjeko-ligjore.