Dritan Dajti i shpeton burgut te perjetshem

2019-02-08 8

Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në Durrës gati 10 vjet më parë, është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, duke rrëzuar kështu Shkallën e Parë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm. Në seancë, togat e zeza kanë pranuar gjykimin e shkurtuar për të, duke shmangur në këtë mënyrë dënimin me burgim të përjetshëm dhe më pas kanë lexuar vendimin. Ka qenë një seancë maratonë, e cila ka filluar në orën 08:00 të mëngjesit, për të vazhduar deri në orën 17:00. Vendimi është dhënë nga një pesëshe gjyqtarësh nga Apeli i Vlorës dhe Shkodrës.

Në këtë mënyrë u mbyllet ndoshta gjyqi më i gjatë penal zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Gjithçka nisi më 7 Gusht të 2009, ku në një përplasje me armë mes policisë dhe Dajtit, në plazhin e Durrësit, u vranë katër policët Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollarri. Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe vetë Dritan Dajti dhe u vra miku i tij Ledio Mara.

Faza hetimore për këtë krim të rëndë u mbyll shpejt, pasi Prokuroria dorëzoi dosjen në gjykatë në fund të 2009, 4 muaj pas krimit. Por këtu do niste telenovela me këtë proces gjyqësore pasi të gjithë seancash shtyheshin. Thuajse të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Shkallës së parë u konsumuan. Ndërsa avokatët nuk pranonin të merrnin në mbrojtje të pandehurin për shkaqe të ndryshme. Pavarësisht këtyre manovrave, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në 2014 e dënoi me burgim të përjetshëm Dajtin, si autori i katër vrasjeve të punonjësve të policisë.

Procesi në Gjykatën e Shkallës së Parë u shoqërua me tensione të shumta mes Prokurorisë dhe Gjykatës nga njëri krah dhe të pandehurit nga krahu tjetër. Nuk munguan as kërcënimet ndaj prokurorëve Eugen Beci dhe Ardian Nezha, si trupave gjyqësore që ndryshoheshin herë pas here. Pas vendimit të kësaj të premteje pritet se cili do të jetë reagimi i Prokurorisë, nëse do t?i bëjë rekurs vendimit në Gjykatën e Lartë, e cila është thuajse jashtë funksionit, pasi ka mbetur me katër anëtarë. Dritan Dajti deri tani ka vuajtur gati 10 vite paraburgim, të cilat i llogariten 15 vite burgim.

Tv Klan