3 ish-ministra do te merren ne pyetje

2019-02-07 0

Tre ish-ministra Drejtësie do të merren në pyetje në lidhje me abuzimet në 5 tendera zhvilluar nga kjo Ministri. Televizioni "Klan" ka siguruar raportin e inspektimit financiar të këtij institucionit që është kryer në periudhën 2016-2017.

"Lidhur me ligjshmërinë e procedurave të prokurimit për 5 objekte prokurimi të inspektuara, konstatojmë se: Nuk janë zbatuar aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi në fushën e prokurimit publik për blerjet për mallra e shërbime".

Ministrat mësohet se do të pyeten javën e ardhshme për rolin e tyre në procedurat e ndjekura për prokurimet e kryera.

Në lidhje me këto shkelje janë arrestuar 4 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Drejtesisë. Mbi ta rëndon akuza "shpërdorim detyre" dhe "shkelje e barazisë në tendera", duke i sjellë buxhetit të shtetit dëm rreth disa milionë Euro në dy vite.

Ndaj 8 personave të tjerë është caktuar masa e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa 14 perosona të tjerë janë nën hetim.

Tenderat për të cilët ata akuzohen kanë të bëjnë me përmirësimin e regjistrit noterial dhe përmbarimor.

Pavarësisht se këto dy shërbime nuk funksiononin, buxheti i shtetit vazhdonte të paguante për to.

Gjithashtu janë gjetur shkelje të rënda në sistemin e mbikëqyrjes elektronike dhe regjistrin online të 7 Gjykatave Administrative. Abuzime janë gjetur edhe në tenderin e pajisjes me kamera të burgut të Fushë-Krujës dhe Lezhës. Këto kamera sipas hetimeve janë jashtë çdo standardi që duhet të plotësojnë pasi nuk kanë cilësinë e duhur.

Tv Klan