Teksa dialogu për arritjen e një marrëveshjeje mes Serbisë e Kosovës mbetet pezull, Presidenti shqiptar Ilir Meta nënvizon se arritja e një pakti do të prodhonte paqe vetëm nëse do të kishte garancinë e partnerëve amerikanë e europianë. Deklaratën, kreu i shtetit e bëri në senatin amerikan ku ishte i ftuar nderi në forumin me temë: ?Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia?.
"Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues. Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europianë në Ballkanin Perëndimor."
Lidhur me ndërhyrjen e Rusisë dhe rolin e saj në rajon, Presidenti Meta u shpreh se ardhmja e Ballkanit Perëndimor është Europa dhe NATO-ja.
?Suksesi i një paqeje të qëndrueshme në rajon ka ardhur si rezultat i partneritetit të fortë transatlantik, i cili mbetet jetik edhe sot, pavarësisht dallimeve. Destabilizimi i rajonit është në interes të Rusisë, ndërsa fati i tij në rajon është në BE dhe në NATO gjithashtu.?
Kreu i shtetit foli edhe për situatën në Maqedoninë e Veriut dhe e cilësoi miratimin nga dy parlamentet të ndryshimit të emrit si një arritje historike që do ta bëjë rajonin më të sigurt dhe do ta sjellë më pranë BE-së dhe NATO-s.
Tv Klan