Report Tv-Atentat fadromistit që aksidentoi për vdekje Ardit Gjoklajn në Sharrë, i shpëton plumbave

2019-02-04 1

TIRANË - Atentat me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne në Tiranë. Ka qenë ora 06:30 e mëngjesit të sotëm kur në rrugën "5 maji" në kryeqytet është hapur zjarr ndaj Edmond Kollarit, 43-vjeç. Ky i fundit i ka shpëtuar plumbave dhe ka telefonuar policinë për ndihmë. Dyshohet se autori ka pasur për qëllim ekzekutimin e 43-vjeçarit dhe pas të shtënave është larguar menjëherë duke humbur gjurmët. Ndërkohë që shënjestra ka shpëtuar pa lëndime.

Ngjarja dyshohet për hakmarrje. Kjo pasi Edmond Kollari është arrestuar dy vite më parë si person i akuzuar për aksidentin me pasojë vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në impiantin e mbetjeve në Sharrë, ku 43-vjeçari punonte si fadromist. Pas ndalimit nga policia, Edmond Kollari u la i lirë nga Gjykata e Tiranës, bashkë me përgjegjësin e turnit Dëfrim Hakrama, pasi nuk u gjetën prova në ngarkim të tyre (Lexo këtu). Prokuroria kishte kërkuar nëntë vite burg. Gjykata arsyetoi se nuk kishte prova të mjaftueshme ndaj dy të arrestuarve për vrasjen aksidentale të të miturit Gjoklaj, që punonte në landfill kundër ligjeve në fuqi.

Ardit Gjoklaj, 17-vjeç, u gjet i pajetë në gusht të vitit 2016-të në landfillin e Sharrës. Me lirimin e Dëfrim Hakramës dhe Edmond Kollarit, ngjarja mbeti pa autor. Në atë kohë pati shumë spekulime lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Në fillim u tha se ai ishte vrarë dhe transportuar në landfill, por më pas u zbulua e vërteta. I mituri punonte në landfill edhe pse nën moshë dhe pa asnjë siguri për jetën. Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Tiranës, Dëfrim Hakrama dhe fadromisti Edmond Kollari nuk kishin respektuar rregulloren për mënyrën e punës në landfill, ku Gjoklaj humbi jetën nga përplasja me fadromën e firmës që grumbullonte mbetjet urbane.

Njoftimi i policisë

Tiranë

Rreth orës 06:30 të mëngjesit në numrin e Emergjencave 112 ka ardhur një telefonatë nga shtetasi E. K., 43 vjeç, i cili njofton se në rrugën ?5 Maji?, një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij e më pas është larguar. Shtetasi E. K., nuk ka pësuar lëndime. Shërbimet e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.