Ekzekutimi mafioz i 50-vjeçarit Arben Bilali është ende pa autor. Policia e Tiranës i ka përqendruar hetimet në pistën e hakmarrjes, duke shoqëruar në polici anëtarë të një fisi tjetër në zonë, me të cilën familja Bilali ka patur konflikte që prej 1991. Përplasjet mes këtyre familjeve kanë sjellë viktima nga të dyja palët.
Gjatë marrjes në pyetje për vrasjen e Arben Bilalit, ata janë shprehur se nuk kanë lidhje me këtë krim. Një prej anëtarëve të këtij fisi, që sapo është kthyer nga Anglia, ka deklaruar në polici se në momentin e vrasjes ka qenë duke drekuar. Për këtë, policia ka sekuestruar edhe kamerat e lokalit, për të provuar këtë alibi.
Po kështu, hetuesit kanë dyshime se viktima ka qenë i përfshirë në dy ngjarje të rënda kriminale, por që nuk janë gjetur prova për implikimin e Arben Bilalit dhe hetimet u pushuan. Një dëshmi tjetër që mund të ndihmojë hetuesit është ajo e mikut të tij, i cili udhëtoi me të pak para se të ekzekutohej.
Ky i fundit ka treguar se, ditën e ngjarjes, kishin shkuar sëbashku në një servis afër zonës së 21 Dhjetorit për të rregulluar makinën. Pas kësaj janë drejtuar në banesën e 50-vjeçarit, atje ku ai u qëllua për vdekje nga atentatorët.
Edhe pse janë sekuestruar rreth 30 kamera sigurie të bizneseve të ndryshme në rrugën ?Safer Konda?, ku jetonte ish-polici, pamjet nuk i kanë ndihmuar hetuesit për identifikimin e autorëve. Ata thonë se vrasja është kryer nga një person që qëndronte i ulur në sediljen e pasme të mjeti tip ?Mercedez Benz? me targa të huaja, që kanë rezultuar të falsifikuara.