OPINION/ Pergjimet per votat ne Durres, Shkullaku: Opozita te mos hyje ne zgjedhje

2019-01-31 0

Gazetari Armand Shkullaku thotë se opozita duhet të bojkotojë zgjedhjet dhe të protestojë në rrugë për të kërkuar garanci për zgjedhje të lira.

I ftuar në emisionin "Opinion" në Tv Klan ku diskutohet për përgjimet e reja të publikuara nga Zëri i Amerikës për shit-blerjen e votave në Durrës, Shkullaku u shpreh se në kushte të tilla ku dëgjohen biseda për pazare votash, nuk mund të votohet në kushte normale, pasi është deformuar vullneti i qytetarëve.

Gazetari Shkullaku theksoi se kryebashkiaku i Durrësit, si një nga zyrtarët që është përgjuar duke folur me vëllezërit Avdylaj, i ka fituar 3 mandate radhazi në zgjedhjet lokale për shkak të kontakteve me persona të inkriminuar.

"Evidentohet ajo që ne kemi thënë, që të paktën nga 2013 nuk ka shit-blerje të zakonshme të votës, por pjesëmarrje e krimit të organizuar në vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet fjalë për çdo qytetar. Bëhet fjalë për një qytetar që është i dënuar me vendim të formës së prerë për vrasje. Ky flet gjithë kohës me kryetarin e Bashkisë. Flet gati çdo ditë, pra nuk është qytetar që ka qarë një hall. Pra këta janë njerëz që kanë diktuar emërimet. Pse propaganda e mazhorancës dhe veglat nxorrën tezën se opozita nuk është e aftë të fitojë zgjedhje. Sot i japim të drejtën legjitime opozitës që ti drejtohet rrugës ekstra elektorale. Nuk votohet!

Durrësi është qytet shumë i madh. Kontributet e Gjushit nuk janë të asaj shkalle që 3 mandate rresht të drejtojë Bashkinë. I është dhënë pikërisht për shkak të kontakteve me krimin e organizuar për të deformuar vullnetin e  qytetarëve. Kjo opozitë ka gjithnjë të drejtën që të mos hyjë në zgjedhje. Do konkurrojë me mjete legjitime apo me mjete...," u shpreh Armand Shkullaku.