Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka rrëfyer këtë të martë në një takim me një grup studentësh në Shkodër, një fragment nga jeta e tij personale. Basha tregoi se një vit më parë, teksa kishte shtruar në një nga departamentet e QSUT-së babain e tij për një ndërhyrje komplekse, ishte tmerruar kur kishte mësuar ikjen e 6 infermierëve nga 7 në total.
Duke i cilësuar "heronj" të papërfillur për nga paga që merrnin, Basha u shpreh se në atë moment u ndje keq në planin njerëzor që po i largoheshin bashkatdhetarë.
Një vit më parë mu desh të shtroja tim atë në një nga departamentet e QSUT-së për një ndërhyrje goxha komplekse. Falë Zotit e kaloi shumë mirë por me këtë rast m?u desh të kaloja goxha kohë pranë tij dhe pashë me sytë e mi një pavijon, pavijonin e Reanimacionit ku punon 7 infermiere, të cilët për nga aftësia profesionale, kompetencat profesionale, dhembshuria njerëzore që trajtonin çdo pacient, jo thjesht babën tim, por çdo pacient dhe për nga orari i zgjatur ishin heronj, merrnin edhe paga të papërfillshme.
Aty mora vesh se brenda majit 6 prej infermierëve do të iknin. Natyrisht më erdhi keq në planin njerëzor të largohen bashkatdhetarë, në këtë rast infermieret. U tmerrova duke menduar se si në këtë pavijon që kërkohet një shërbim shumë i specializuar pa pritur do të mbetej vetëm 1 infermiere.
Lulzim Basha, Kryetar i Partisë Demokratike